Është Bylisi kryesuesi i ri i Superligës shqiptare të futbollit, ndonëse kjo mund të jetë e përkohëshme. Skuadra nga Mallakastra u ngjit në vend të parë pas fitores 3-1 arritur ndaj Tiranës në Ballsh, ndërsa u ndihmua edhe nga humbja e Teutës.
Vendasit mbyllën në epërsi 2-0 pjesën e parë, duke luajtur më mirë sesa kundërshtari, e duke përfituar nga gabimet e miqve. Pas pushimit, Tiranasit reaguan dhe ngushtuan diferencën me golin e realizuar nga Dunga, por shumë shpejt Bylisi shënoi për herë të tretë.
Ballshiotët kanë 16 pikë në renditje ndaj 15 të Teutës që u mund thellë në fushën e Laçit. Suksesi i kurbinasve ishte 3-0, ndërsa skuadra durrsake u paraqit shumë dobët, krejt ndryshe nga ndeshjet e mëparshme.
Kjo ishte fitorja e dytë e Laçit këtë sezon, dhe duket se po nis të ndryshojë nën drejtimin e trajnerit të ri, Armando Cungu.
Fitore të thellë arriti edhe Kukësi, duke mposhtur 4-1 Luftëtarin. Ndeshja u luajt në fushë asnjanëse, në stadiumin e Lushnjes, ku dy gola u shënuan nga Shkurtaj dhe dy gola të tjerë nga Rroca. Kukësi ka tani 14 pikë, duke qenë në vend të tretë.
Sfidanti.al