Xhek Londoni ka qenë ndoshta i pari që ka përdorur shprehjen “Shpresa e Bardhë” për një sportist lëkurëbardhë që mund të fitojë ndaj një zezaku. Shkrimtari i shquar amerikan cilësoi kështu një boksier në një nga veprat e tij të njohura, i cili pritej të kthente titullin botëror që prej vitesh e fitonin boksierët zezakë.
“Shpresa e Bardhë” e radhës në basketboll duket se e ka emrin Kristaps Porzingis. i ardhur në NBA që nga një vend jo shumë i shquar i basketbollit, si Letonia, Porzingis këtë vit “e ka pushtuar me sulm” më të fortë të botës. Deri tani, ai ka mesataren prej 30.2 pikësh për ndeshje, në 9 ndeshjet e këtij sezoni, dhe po ashtu 7.8 topa në tabela. Vetëm 22-vjeçar, Porzingis është 2.21 metra shtatlartë, pak a shumë gjatësinë që kishte legjenda lituaneze, Arvidas Sabonis, ndonëse nuk luan qendër, por sulmues.
Shumë nga tifozët e Nju Jork Niksit besojnë se letonezi mund të luftojë me Lebron Xhejmsin, Kevin Durantin, Rasëll Uestbrukun apo Xhejms Hardenin për titullin e më të mirit të NBA-së, ndërsa shtatlarti nga Europa ka përfituar edhe nga largimi i Karmelo Entonit, për t’u bërë udhëheqësi i skuadrës. Basketbolli ka pasur disa “Shpresa të Bardha”, të tillë si Drazhen Petroviç apo Dirk Novicki, ndërsa ylli i madh ka qenë Leri Bërd, por tashmë epoka duket se është e Kristaps Porzingisit.
Sfidanti.al