U duhej një fitore e vetme në plej in, dhe atë e arritën, edhe pse me shumë vështirësi. Gjithsesi, Portlend Trejl Blejzërs nuk e humbën shansin që mezi e fituan, duke triumfuar 126-122 ndaj Memfis Grizlit, e duke arritur kualifikimin për në plej ofin e këtij sezoni në NBA. Pas shkëlqimit në pjesën e mbetur të sezonit, Damien Lilard bëri një sforcim të fundit duke ndihmuar ekipin që t’ia dilte. Ai shënoi 31 pikë, shërbeu 10 asistë dhe kapi 2 topa në tabela, ndërsa në krah pati të shkëlqyerin boshnjak, Jusuf Nurkiç, me 22 pikë e 21 topa në tabela, SiXhej Mekkallëmin me 29 pikë, 3 tabela, 1 asist, 2 vjedhje topi e 1 bllokim gjuajtjeje, si dhe Karmelo Entonin me 21 pikë. Plot 103 pikë nga 126 gjithsej u shënuan nga katër yjet kryesorë. Memfisi u udhëhoq nga i riu Xha Morant me 35 pikë, 4 topa në tabela e 8 asistë, ndërsa lituanezi Jonas Valanciunas pati 22 pikë, 17 topa në tabela e 6 asistë. Në raundin e parë të plej ofit, Portlendi do të ndeshet me Lejkërsat e Lebron Xhejmsit.
Sfidanti.al