Pogba apo Van De Bek? Tifozët dhe financa “flasin holandisht”

Dëshira e madhe e Zinedin Zidanit është mesfushori francez i Mançester Junajtidit, por në “Santiago Bernabeu” mund të vijë një tjetër. Planet alternative të presidentit Florentino Perez janë për një emër të ri, mesfushorin Doni Van de Bek nga Ajaksi. Një anketë e gazetës “Marka” nxorri që pjesa më e madhe e tifozëve të Realit janë për holandezin, pikërisht 67 për qind e gati 170 000 votuesve, diçka aspak për t’u nënvleftësuar.

Reali do të shpenzonte shumë më pak duke marrë Van de Bekun, pasi ai kushton nga 50 deri në 70 milionë euro, më pak se gjysma e kartonit të Pogbasë. Gjithsesi, Perez shikon edhe një aspekt tjetër, atë të përfitimeve tregtare, dhe Pogba këtu vlen shumë më tepër se De Beku. Kjo do të thotë se financiarisht mund t’ia vlejë të shpenzosh 50 apo 60 milionë euro më shumë, për të pasur përfitime shumë më të mëdha më vonë. Pritet të shihet se çfarë do të ndodhë, por shumëçka do të varet nga aftësia e Madridit për të transferuar lojtarë, pasi nuk i ka paratë për shpenzime të mëdha.

Sfidanti.al