Etrit Berisha mbetet në Serinë A, por humb shansin e Championsit

Nuk do të mundë ta realizojë dëshirën e madhe për të luajtur në kompeticionin më të madh të klubeve në Europë dhe në botë. Etrit Berisha pritet t’i thotë “lamtumirë” (apo të paktën “mirupafshim) Atalantës këtë verë, dhe të shkojë në një skuadër tjetër.

Tre milionë eurot e kartonit të tij do të paguhen me dëshirë, dhe këtë mendohet ta bëjë SPAL, skuadra e qytetit të Ferrarës, që do të jetë pjesëmarrëse në Serinë A. Në këtë mënyrë, gardiani i kombëtares shqiptare do të ruajë standardin e tij në kampionat, pasi do të mbetet në elitën e futbollit Italian. Sezonin e kaluar, Berisha mbeti në stol tek Atalanta, pasi trajneri Gasperini u mbështet tek portieri i ri, Pierluixhi Golini.

Berisha luajti në 22 ndeshje gjatë edicionit të kaluar, ndaj 27 të Golinit, për herë të fundit në 23 shkurt, pra shumë muaj më parë. Pasi provoi me sukses Lacion dhe për dy sezone Atalantën, portieri shqiptar nga Kosova do të vazhdojë në Serinë A, tashmë me SPAL-in. Kjo mund ta ndihmojë të luajë, dhe të konkurrojë me sukses në portën e kombëtares shqiptare, ku pretendon të luajë edhe Tomas Strakosha.

Sfidanti.al