Poçetino nuk recitoi vjershën banale “ëndërroja që fëmijë Realin”

Shumë kohë më parë, mjeshtri më i madh i psikanalizës, Zigmund Frojd, thoshte se njeriu është një “ego” e madhe, e mbuluar me një cipë arsyeje. Këto fjalë të tij kujtohen sa herë ndonjë futbollist përsërit si papagall apo majmun, në momentin e prezantimit, fjalët e mësuara përmendësh se “kam ëndërruar që fëmijë që të luaj për X ekip”. Më shpesh kjo ndodh kur shkon tek Reali, Barça, Bajerni, Juventusi, Liverpuli apo Mançester Junajtidi, ndonëse në listë mund të futen emra sipas dëshirës.

Maurisio Poçetino, më në fund, nuk ra në këtë nivel. Edhe pse, në mënyrën më normale dhe më të sinqertë në botë, pranoi se ishte i lumtur nga interesimi i Realit, nuk e uli veten që të përplaste këmbët për t’u larguar nga Totenhemi. Një sjellje që më parë e ka bërë i nderuari Sesk Fabregas kur ishte kapiten i Arsenalit.

Trajneri argjentinas vendosi të mos këmbëngulte për t’u larguar për të mos e paraqitur veten si mercenar, i bindur se nuk ishte momenti i duhur. Jo vetëm që presidenti Levi nuk do të pranonte, pra do të kishte një luftë, por edhe sapo ishte nënshkruar kontrata e re me rrogë 8.5 milionë paund stërlina në sezon. Po ashtu, Poçetino po bindte lojtarët që të rinovonin, diçka që pritet ta bëjnë Eriksen, Kejn apo Ali. A mundej që ai, të ikte pikërisht tani? Argjentinasi nuk e bëri duke mbetur njeri i nderit.

Sfidanti.al