“I dërgoj një tortë Guardiolës po zgjodhi 5 afrikanë në skuadër”

Nuk janë fjalët e Zllatan Ibrahimoviçit, Mino Raiolës apo Samuel Etosë. Pep Guardiola merr sulmin e radhës, më pak agresiv dhe vulgar se të tjerët, por aspak më të ashpër, dhe ai që e sulmon është tepër i njohur, Jaja Ture. Mesfushori i fortë nuk ka aspak mendim të mirë për atë që është tashmë ish-trajneri i tij.

“Dua të jem njeriu që shkatërron mitin e Guardiolës, – u shpreh Ture për “Frans Futbollin”, – doja ta kuptoja (përse nuk po luaja), i kërkova trajnerit të dhënat e mia fizike, dhe kuptova se nuk ishte çështje fizike, pasi unë isha po aq mirë, apo edhe më mirë se të tjerët. Nuk di pse, por kam përshtypjen se ai ishte xheloz dhe më mori për rival”.

“Ai ishte i pashpirt me mua, – vazhdoi ashpër Tureja, – ai nuk tregoi as respekt dhe as mirënjohje, por u përpoq të shkatërronte sezonin tim të fundit. A mendoni se ai do të sillej kështu, p.sh., me Iniestën? Arrita deri aty, sa të pyesja veten nëse kjo kishte të bënte me ngjyrën e lëkurës. Nuk jam i pari, edhe lojtarë të tjerë të Barcelonës e kanë bërë këtë pyetje”.

Jaja Ture thekson se shpesh afrikanët nuk trajtohen mirë nga njerëz të caktuar, dhe shtoi se Pep kishte pasur disa herë probleme me afrikanët. “Do t’i dërgoja një tortë Guardiolës, nëse ndonjëherë do të zgjidhte një formacion me 5 lojtarë afrikanë”, – tha ai me sarkazëm.

Në fund, mesfushori që doli 3 herë kampion me Sitin, nxorri përfundimin se “Pep dëshiron që të dominojë dhe që të tjerët t’i puthin duart, unë e respektoj trajnerin, por nuk jam i tillë”. “Ai vodhi lamtumirën time me Sitin, – përfundoi Jaja Tureja, – unë doja të largohesha me emocione, ashtu si Iniesta apo Bufon, por Pep e pengoi këtë gjë”.

Sfidanti.al