Perezi zbulon transferimin më sfilitës që solli yjet në Madrid

Në prag të Superkupës së Spanjës, presidenti i Realit të Madridit, Florentino Perez, i zbuloi “Markës” se cili ka qenë transferimi më i vështirë në karrierën e tij. Perezi vuri në dukje se bisedimet më të vështira ai i ka patur për transferimin e Luis Figos. “I thamë atij se ne kishim si synim që të ngrinim një ekip rreth tij. Ishte shumë e vështirë që ta bindje atë. Ai, sidoqoftë, ishte kapiten te Barcelona dhe, ndërkohë, në vitin 2000, nuk ishte normale që të shpenzoje 60 milionë euro vetëm për një futbollist. Mbas Figos, ne e patëm të lehtë që të merreshim vesh me Zidanen, Ronaldon, Bekamin…, kështu u krijua brezi i galaktikasve”, deklaroi Perezi,

Mbas krijimit të ekipit të madh që, megjithatë, nuk i përmbushi pritshmëritë e tifozëve të Realit, ky i fundit u detyrua të merrte edhe lojtarë të tillë, si Kristiano Ronaldo, Karim Benzema dhe Garet Bejli. “Falë të gjitha këtyre transferimeve, ne ndodhemi në atë pozicion, ku jemi sot dhe që na përshtatet neve plotësisht. Sjellja e lojtarëve të mëdhenj, krahas rëndësisë së rezultateve, ka rëndësi edhe në kuptimin ekonomik për zhvillimin e klubit”, thotë presidenti i Realit të Madridit.

Sfidanti.al