Pele uron Ronaldon: Në 1961, Juventusi dha 1 milionë USD për mua!

Në 1961, rekordi botëror i blerjeve ishte rreth 200 000 dollarë, dhe ishte paguar nga presidenti i Interit, Anxhelo Morati, për Suarezin e Barcelonës. Gjithsesi, ato vite ky rekord mund të thyhej pesëfish nëse do të realizohej lëvizja e ëndërruar. Presidenti i Juventusit, Umberto Anjeli, donte me patjetër “margaritarin” e futbollit botëror, Pelenë.

Vetë Pele zbulon sot se Juventusi i ofroi Santosit plot 1 milionë dollarë të asaj kohe. Ishte viti 1961 dhe Pele ende nuk kishte mbushur 21 vjeç, por famën botërore e kishte fituar që në 1958 në Kupën e Botës në Suedi. Besohet se Pele e hodhi poshtë këtë ofertë (nuk dihet ç’tha Santosi), ndërsa ylli brazilian e zbuloi sekretin në postimin e tij në rrjetet sociale, ku uronte Kristiano Ronaldon për kalimin tek Juventusi.

Sfidanti.al