Pele nuk është “mision i pamundur”, Mesi më pranë legjendës

Gerd Myleri ka qenë më së shumti “etaloni” për golshënuesit e klasit botëror, dhe yje të tillë si Lionel Mesi apo Kristiano Ronaldo mund të mburren si i janë afruar apo edhe e kanë kaluar. Mesi, së fundmi, kaloi një tjetër rekord të “Bomberit” të dikurshëm të Gjermanisë, atë të numrit të golave të shënuar me një fanelë të vetme. Argjentinasi arriti në 566 rrjeta për Barcelonën, ndaj 565 të gjermanit me Bajernin.

“Qielli” për Mesin quhet Pele, pasi ai duhet të barazojë apo të thyejë rekordin që mban legjenda braziliane, që ka shënuar 643 gola për Santosin. Diferenca është 77 rrjeta, jo edhe aq e vogël, por jo edhe e pamundur, duke pasur parasysh standardin shënues të 31-vjeçarit, me të paktën 40 gola në sezon. Rivali i tij, Kristiano Ronaldo, ka shënuar pak më shumë se argjentinasi, 582 (+16) gola, por duke luajtur gati 100 ndeshje më shumë, dhe duke i realizuar me skuadra të ndryshme si Sportingu i Lisbonës, Mançester Junajtidi, Reali i Madridit dhe tani Juventusi.

Sfidanti.al