Paska qenë një lojë, Parisi ia lejon Fjurit ndeshjen për unifikimin e titujve

Në konferencën e shtypit pas ndeshjes, kampioni i botës në WBC bëri “be e rrufe” se karriera e tij kishte përfunduar, me përjashtim, të ndonjë ndeshjeje “për qejf”, ndonjë spektakël me kombinim të sporteve, siç mund të ishte dueli i një boksieri me një kampioni të arteve të përziera marciale. Këto ishin fjalët e Tajson Fjurit, thënë para gazetarëve dhe në sy të gjithë botës, duke u justifikuar se ai i kishte premtuar gruas se ndeshja ndaj Dilian Uajtit do të ishte e fundit në karrierë. Po ashtu, shtoi se kishte arritur çdo sukses që mund të arrihej. Gjithsesi, ajo që do të ndodhë në të ardhmen e shpejt u shpreh nga gruaja e Fjurit, Parisi. “E vetmja arsye që Tajsoni mund të kthehet nga “pensioni”, – tha ajo, – është një ndeshje për unifikimin e titujve”. Pra një duel, Fjur-Usik ose Fjuri-Xhoshua. Kjo e fundit do të vlente më shumë se 100 milionë paundë stërlina për peshat e rënda të boksit profesionist.

Sfidanti.al