“Partia e madhe e ha të voglën”, Fidel Ylli rizgjidhet president i KOKSH-it

Më parë ishte Viron Bezhani, pjesëtar i “partisë së vogël”, që do të thotë i LSI-së. Më herët, e provoi Esat Ademi, që ishte me një nga partitë e mëdha (PD-në), që të bëhej president i KOKSH-it, por pasi u thye kutia Asambleja u anulua dhe më pas hyri në garë Agim Fagu, ndaj të cilit nuk guxoi të dilte ndonjëri kundër. Gjithsesi, Fagu i madh dha dorëheqjen pas pak kohësh duke mos qenë dakord sesi menaxhoheshin fondet e Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar. Në vijim u zgjodh Bezhani, ndërsa prej kohësh KOKSH-i është në “luftë civile”, me sekretarin e përgjithshëm Bello që ndodhet në SHBA, ndërsa së fundmi, Fidel Ylli u kthye në “Olimpik”. Deputeti i Partisë Socialiste mori 40 vota në zgjedhjet për president që u zhvilluan në ambientet e kompleksit “Stela” në autostradën Tiranë-Durrës. 12 vota i mori zv. presidenti Vojo Malo, 4 vota i mori Martin Biba, ndërsa 1 votë doli e pavlefshme. Fidel Ylli ka qenë edhe më herët ndër krerët e Komitetit Olimpik, ndërsa tani kthehet. Në prag të zgjedhjeve duket se ndikimi politik nuk po merr fund, siç ka qenë gjithnjë në Shqipëri.

Sfidanti.al