Nga De Brujni tek Kimihu, kur futbollistët braktisin agjentët

Gjithmonë rrugën e prijnë ata që ndihen më të ndërgjegjshëm, më shumë si kapitenë dhe që kanë respektin më të madh për veten. Kevin De Brujni ishte i pari nga futbollistët profesionistë këto kohë që braktisi agjentin e tij, duke qenë i pakënaqur dhe pasi agjenti pati probleme me drejtësinë, ndërsa shembullin e tij po e ndjek edhe kapiteni i ardhshëm i Bajernit të Mynihut, Xhoshua Kimih. Mesfushori gjerman do të përfaqësojë veten, ndërsa largoi menaxherin pasi u ndje i pakënaqur nga spekullimet që po thuheshin nga ai për të ardhmen e tij. “Unë vendosa që vitin e kaluar, – thotë 26-vjeçari, – dua të përfaqësoj veten time, vlerat e mia, dua të kem përgjegjësinë personale për veten”. Kimih ka edhe dy vjet kontratë në Mynih, por dëshiron ta rinovojë atë dhe të afrohet me pagesën e yjeve si Levandovski, Nojer apo Tomas Myler. Vendimi i tij me siguri që e ka kënaqur ish-presidentin Uli Hënes që ka bërë thirrje që lojtarët të ndaheshin nga agjentët. Edhe Rahim Stërling i Mançester Sitit pritet ta bëjë diçka të tillë.

Sfidanti.al