Nuk dihet se çfarë do të vendosë, por kërkesat kanë nisur. Myrto Uzuni mund të cilësohet si lojtari shqiptar i sezonit, dhe nga Greqia lajmërojnë që klubi kryesor i vendit, Olimpiakosi, interesohet për shërbimet e shqiptarit. Media “Sport Tajm” e ka lajm të parë në kopertinë, faktin që kampionët e Greqisë duan sulmuesin e kombëtares kuqezi, madje thekson se kontaktet kanë nisur. Nuk dihet se cili do të jetë përfundimi, ndërsa futbollisti 25-vjeçar padyshim që do të presë për të parë mundësitë e tjera që mund t’i jepen për sezonin e ardhshëm, e pastaj do të vendosë. Për momentin, nuk ka hollësi lidhur me koston e një operacioni të tillë, por kartoni i Uzunit arrin në 2 deri në 2.5 milionë euro të paktën.
Ai ka shkëlqyer për Ferencvaroshin në Hungari këtë edicion, duke shënuar 13 gola gjithsej, e duke dhënë 6 asistë. Nga këta 10 janë në Superligën hungareze, ku Ferencvaroshi është praktikisht kampion, dhe 3 në Champions, përfshi edhe golin ndaj Juventusit ku Uzuni bëri festimin e Kristiano Ronaldos. Ai ka kontratë në Budapest deri në 2024, por sezoni shumë i mirë pritet t’i japë mundësi të shkojë në një ligë më të fortë. Uzuni ka luajtur 15 ndeshje e ka shënuar 2 gola për kombëtaren shqiptare, ndërsa në karrierë ka qenë për Tomorin e Beratit, Apoloninë, Laçin dhe Lokomotivën e Zagrebit në Kroaci.
Sfidanti.al