Me Arsen Vengerin i kishte zënë një sëmundje e pashërueshme, por “operacioni” i heqjes së trajnerit të famshëm nuk mund të bëhej shpejt. Gjithsesi, Arsenali lëvizi drejt së ardhmes dhe këtë verë emëroi në stol Unai Emerin.
Ndikimi i trajnerit të ardhur nga Paris SG ishte i menjëhershëm, ndërsa mbrëmjen e fundit, londinezët arritën fitoren e 10-të radhazi këtë sezon. Sa ndryshe në krahasim me fundin e epokës “Venger”! Nuk u mund një rival çfarëdo, por Leisteri i fortë, ndërsa në “Emirejts” shkëlqeu mbi të gjitha një futbollist.
Mesut Ozil duket se po lë përfundimisht prapa krizën dhe tronditjen në kombëtaren e Gjermanisë, duke u përqëndruar totalisht tek Arsenali. Shënoi dhe shërbeu asist, ndaj Leisterit, ku dominues ishte edhe Pjer-Emerik Obamejang, që hyri në lojë si zëvendësues. Ai shënoi dy gola.
Arsenali ka tani 21 pikë, po aq sa Çelsi i vendit të tretë, dhe njëlloj me Totenhemin. Vetëm Mançester Siti ka shënuar më shumë gola në Premier (26 ndaj 22), ndonëse asnjë nga skuadrat kryesore nuk ka pësuar aq shumë gola (11). Sidoqoftë, me Emerin po luhet loja klasike e dashur për Vengerin, ndërsa pritet të shihet nëse do të arrihen të fitohen titujt, si në periudhën 1996-2005.
Sfidanti.al