Okampos, një sulmues dhe një portier i vërtetë për Championsin! Sevilja e di këtë!

Suksesi në futboll dihet që është kolektiv, por shpesh janë individët që shkëlqejnë fort. Në duelin e ligës spanjolle të futbollit, Sevilja-Eibar, heroi ishte sulmuesi vendas, Lukas Okampos, i cili shënoi golin e vetëm, që i dha fitoren skuadrës seviljane, por bëri edhe më shumë se kaq. Futbollisti që ka luajtur për Milanin, u tregua vendimtar në fund të duelit, në një pozicion krejt tjetër, aspak natyral për të.

Okampos u detyrua të zëvendësonte portierin Tomas Vaclik që u dëmtua pas një përplasjeje. Edhe pse jo në rolin e tij, argjentinasi u bë shpëtimtar në një aksion të rrëmujshëm në fund të ndeshjes, duke bërë një pritje të madhe, pas gjuajtjes që e bëri homologu i tij, portieri i Eibarit, Dimitroviç. Kjo ruajti rezultatin 1-0 dhe fitoren e Seviljes.

“Jam shumë i lumtur për veten, por sidomos për ekipin, – u shpreh heroi pas ndeshjes, – ishte një ndeshje shumë e vështirë, përballë një kundërshtari që luftoi fort. i lumtur për golin që shënova, dhe që rezultoi vendimtar, por edhe për pritjen, që ishte instinktive. Mendoj se isha me fat”.

“Çfarë finaleje, – shkruan gazeta e Madridit, “AS”, – Okampos bën portierin tek Sevilja, dhe bën pritjen e vitit ndaj Dimitroviçit, portierit të Eibarit”. Nga vendi i tij, Argjentina, ja si shkruan gazeta “Ole”: Okampos vuri veton, shënoi dhe shpëtoi Seviljen. Sulmuesi argjentinas pati një natë historike për ekipin andaluz, në aksionin e fundit të ndeshjes”. Ja edhe gazeta tjetër e Madridit, “Marka”: Okampos e meriton plotësisht një Champions, argjentinasi shënon, përfundon si portier dhe shpëton fitoren me një pritje të madhe”.

Ishte një pritje vërtet për Champions, sepse me këtë fitore, Sevilja forcoi pozitat në vendin e katërt të La Ligës me 60 pikë, ndaj 54 të Vijarrealit ndjekës, kur duhen edhe 4 javë deri në përfundim.

Sfidanti.al