Nuk ishte fitorja që tërhoqi aq shumë vëmendjen sesa diçka tjetër. Totenhemi vërtet fitoi tri pikë shumë të rëndësishme në Premier Ligë duke mundur 1-0 Evertonin në Londër, por një tjetër moment kulmor i ndeshjes ishte përplasja brenda vetë ekipit londinez. Pas një kundërsulmi të Evertonit, portieri dhe kapiteni i Totenhemit, Hugo Joris, u vërsul drejt shokut të skuadrës, koreanojugorit Son, duke i bërtitur, e duke e shtyrë. U desh ndërhyrja e shokëve që gjendja të mos kthehej në sherr fizik.
Çfarë ndodhi mes dy shokëve të ekipit? Kapiteni Joris, kampion i botës me Francën, refuzoi të jepte sqarime për televizionin “Skaj Sports”, pas sfidës. “Diskutimet dhe debatet mes nesh, ne i zgjidhim brenda ekipit, – tha Joris, – ju nëpër studio, apo kushdo tjetër, mund të thotë atë që dëshiron. Ajo që ndodhi mes nesh, shpesh është pjesë e futbollit. Ju e patë që ne ishim që të gjithë të lumtur pas ndeshjes”.
Gjithsesi, shumëçka u sqarua nga Zhoze Murinjo. Trajneri i Totenhemit, madje, u shpreh se ishte i lumtur nga ai konflikt. “Ajo që ndodhi me shumë mundësi ndodhi si pasojë e njërit prej takimeve që kemi pasur më përpara, – tha Murinjo, – nëse doni të fajësoni dikë, më fajësoni mua. Unë kam qenë kritik ndaj djemve të mi, sepse ata nuk ishin aq kritikë sa duhej me njëri-tjetrin. U kam kërkuar që të ishin më kërkues ndaj njëri-tjetrit. Son është i shkëlqyer, të gjithë e duan fort, por kapiteni i tha të jepte më shumë për ekipin. Ajo që ndodhi ishte e mrekullueshme, dhe më mbush me besim për ekipin”.
Fitorja ishte e domosdoshme për skuadrën e Murinjos, që ka shumë pak shpresa për t’u kualifikuar për në Champions sezonin e ardhshëm. Totenhemi ndodhet në vendin e 8-të në renditje me 48 pikë, 9 pikë prapa vendit të katërt që të kualifikon për në Ligën e Kampionëve, dhe që mbahet nga Çelsi.
Sfidanti.al