Historia e problemeve të tij nisi që kur ishte ende në kulm, në 2017-2018 tek Reali i Madridit, me trajner Zinedin Zidanin. Kristiano Ronaldo krijoi telashe në dhomën e zhveshjes në “Bernabeu” me kërkesat e tij të shfrenuara e me zë të lartë për rrogë të barabartë me Lionel Mesin, aq sa Zidani i kërkoi presidentit Perez që ta largonte sa më parë, ose t’ia jepte rrogën që kërkonte, sepse ishte bërë i padurueshëm. Tek Juventusi nuk ishte shumë më mirë, pavarësisht zhurmës së madhe mediatike, ndërsa kulmi ka arritur tek Mançester Junajtidi. Kritikat për portugezin kanë qenë të shumta, për ankesat ndaj shokëve, tekat kur nuk shënon gola e largohet pa përshëndetur tifozët, si dhe për rendimentin e ulët në lojë. Thuhet se ai ka probleme me trajnerin Rangnik dhe kapitenin Megajer, ndërsa në “rresht” kundër tij janë futur edhe analisti Xhemi Karrager dhe trajneri i Juventusit, Maks Alegri. “Junajtidi bëri gabim që e mori Ronaldon për së dyti, dhe do të bëjë gabim edhe më të madh nëse nuk do ta largojë në verë”, – thotë Karrageri. “Tani ne jemi më shumë skuadër se më parë, – tha Alegri, – pasi tani nuk mendohet së pari për objektiva personale”.
Sfidanti.al