Një hap më pranë Botërorit, por jo pikërisht aty. Manuel Nojer u përfshi në skuadrën paraprake të Gjermanisë, shpallur nga trajneri Joakim Lëv, ndërsa portieri i Bajernit ka për detyrë të tregojë veten në javët e ardhshme. “Askush nuk mund të shkojë në Kupën e Botës pa praktikë ndeshjesh, – u shpreh Lëv si sqarim, – por, Nojer do të ketë rast të tregojë formën e tij gjatë miqësoreve përpara turneut”.
Në listën prej 27 lojtarësh, që do të shkurtohet në 23 në datën 4 qershor, munguan ndërkaq mbrojtësi i Arsenalit, Shkodran Mustafi, sulmuesi i Bajernit, Sandro Vagner, dhe mesfushori tashmë i Juventusit, Emre Xhan. Në portë janë Ter Shtegen i Barcelonës, Nojer, Leno i Leverkusenit dhe Trap i PSG-së, ndërsa nuk munguan disa nga veteranët e shquar si Humels, Boateng (e dëmtuar, ende), Hektor, Kedira, Kros, Gyndogan, Ozil, Gomez, Tomas Myler apo Marko Rojs.
Gjithsesi, Gjermania ka edhe shumë “gjak të ri”, madje “flakë të kuq”, me yje si Kimih, Rydiger, Zyle, Platenhart në mbrojtje, Brant, Rudi apo Gorecka në mesfushë, dhe Draksler, Verner apo Sane në sulm.
Sfidanti.al