Një vit më parë nuk iu luten askujt, luajtën deri në minutën e fundit dhe fituan mbijetesën. Këtë herë në Shkodër nuk kanë besim më tek fusha, duket se janë tradhëtuar nga futbollistët, nga trajneri Gjoka, dhe nga “lojtarët e Bashkisë”, ata që blenë turpin më të madh futbollistik me vlerën e bujshme 1,2 miliardë lekë. Nga shkodrani më i vogël deri tek shkodranët që e kanë patur si fe të dytë futbollin, po luten që të ndodhë mrekullia.. më shumë në zyrat e FSHF-së, se sa në fushën që kanë prodhuar veç zhgënjime.
Një parrullë e tifozëve të dëshpëruar ishte lakonike: “ Na tradhëtuan të gjithë”. Kjo është e vërteta më e madhe për atë që pritet të ndodhë, por që nuk besohet në qytetin ku talentet qe lodronin me topin i gjeje në çdo shtëpi. Vllaznia është tradhëtuar nga futbollistët e saj që janë paguar nga “sheikët e Bashkisë” për një futboll të pashpresë, pa shpirt dhe pa bukurinë shkodrane. Janë tradhëtuar nga trajneri Gjoka, i cili bëri një autogolte madh moral duke braktisur ekipin në momentin më tragjik. Janë tradhetuar edhe nga FSHF-ja, ajo që hiqet si zonje e pafajshme, që shpesh ka keqpërdorur per interesa te saj ekipin shkodran , por edhe e privilegjuar nga mëndjelehtësia e klubit. Trishtohesh kur kujton Vllazninë qe nuk e lejonin të luante në fushën e saj, por të shkonte deri në Korçë, sepse fusha ishte mbjellur me “farën e dashurisë”. Shkodranët kanë të drejtë të shkulin flokët, jo të vetat, por të zyrtarëve të FSHF-së, kur kujtojnë se ata me të vërtetë nuk kanë bërë gola në fushë, por në Asamble kanë “gola” qe rezultuan autogola. Ata dhanë vota më shumë se sa çdo qytet tjetër për të mbajtur gjallë..,keqbëresit e saj.
Sfidanti. al