Nuk është një personazh krejtësisht i jashtëm, përkundrazi. Beki Hamon është zv. trajnere e San Antonio Spërsit, por ka mundësi të hedhë hapin final dhe më madhështorin në karrierën e saj, të bëhet kryetrajnere në një klub të NBA-së. Mediat amerikane shkruajnë se 41-vjeçarja është një nga kandidatet për stolin e mbetur bosh të Miluoki Baksit, ndërsa konkurrencë ka (mes të tjerëve) edhe nga trajneri italian, Mesina.
Nëse Hamon do të përzgjidhej, do të ishte hera e parë në histori që në krye të një skuadre të NBA-së do të vendosej një femër. Beki është figurë e shquar e basketbollit dhe jo vetëm amerikan. Ajo krijoi polemika kur mori nënshtetësinë ruse në 2008-ën dhe veshi fanelën e kombëtares së Rusisë, duke përfaqësuar shtetin e madh euroaziatik në Lojrat Olimpike në 2008 e 2012.
Me emrin e plotë Rebeka Lin Hamon, ajo cilësohet si një nga lojtaret më të mira të lojës së koshit, edhe pse vetëm 1.68 metra shtatlartë, ndërsa po del shumë e fortë edhe si trajnere. Jo më kot, i famshmi Greg Popoviç e ka marrë si ndihmëse tek Spërsat.
Sfidanti.al