Ylli kryesor nuk mund të hiqet qafe kaq shpejt. Nejmar u përfshi në listën paraprake të skuadrës së Brazilit për Kupën e Botës, ndërsa trajneri Tite deklaroi 23 emrat e përzgjedhur nga ai. Fati i sulmuesit ishte i ndryshëm nga ai i mbrojtësit Dani Alvesh, veçse me arsye pasi ky i fundit u dëmtua pikërisht në fund të sezonit, ndërsa Nejmar është në fund të rikuperimit. Problemi i vetëm që do të ketë Tite është që “Ney” do të jetë në Botëror (besohet se nuk do përjashtohet nga lista) pa luajtur asnjë ndeshje zyrtare që nga muaji shkurt.
Doktori i Brazilit, Rodrigo Lasmar, u shpreh se e kishte vizituar futbollistin e PSG-së dhe se rezultatet kishin qenë shumë të mira. “Ai është në fund të rikuperimit, – tha mjeku, – shpejt ai do të nisë stërvitjen dhe do të luajë në ndeshjet miqësore”. “Do të jemi shumë më të fortë me Nejmarin në ekip, – tha Tite, – por, ekipi duhet të jetë gjithashtu shumë mirë, për ta ndihmuar Nejmarin që të jetë mirë”. Për momentin, Gabriel Zhezus është sulmuesi kryesor i Brazilit, por rivaliteti është i madh nga Roberto Firmino. Tite kishte ndërmend të luante në Botëror me këtë ekip, nga i cili tani mungon vetëm Dani Alvesh: Alison, Dani Alvesh, Markinjos, Miranda, Marselo, Renato Augusto, Kasemiro, Paulinjo, Kutinjo, Nejmar, Gabriel Zhezus.
Sfidanti.al