Tibo Kurtua dhe Luka Modriç u detyruan të jepnin një përgjigje, diçka e sforcuar, që ata e ndjenë si nevojë për të kënaqur publikun madrilen, pas fjalëve të Diego Pablo Simeones. Trajneri argjentinas nuk ngurroi të dilte “me shpatë në dorë” përballë Realit, duke akuzuar se lojtarët e Atletikos e kanë të vështirë të fitojnë çmime individuale.
“Tibo Kurtua shkoi tek Reali dhe aty fitoi çmimin e portierit më të mirë të botës, – tha Simeone, – kur ishte tek ne, nuk e fitoi dot, por ia dhanë Kejlor Navasit që ishte tek Levante, dhe që më pas e mori Reali”. Edhe për Topin e Artë, Simeone deklaroi se e meritonin më shumë Grizman dhe Varan, ndonëse pohoi se Modriç luajti një sezon të madh.
Kurtua dhe Modriç u përgjigjën duke thënë se “Simeone flet kështu sepse dëshiron të verë në vështirësi Realin”. Me kaq shumë “forcë magnetike” që ka klubi madrilen, duket shumë e vështirë që të vihet në vështirësi nga fjalët e një trajneri, qoftë ky edhe një fitues si Simeone.
Sfidanti.al