Një uruguajan i heq “vizën” Pogbasë dhe ul Modriçin në stol!

Dikur, në vitet 30-të apo 50-të, kombëtarja e vendit të vogël amerikanolatin kishte klas të jashtëzakonshëm, në sulm e në mbrojtje. Në 1970, në Uruguaj thuhej se vendit i mungonin vetëm dy gjëra, “sulmuesit dhe demokracia”, ndërsa në ditët që po jetojmë, të paktën për repartin ofensiv nuk e ka problem. Për fat, sulmuesve si Suarez e Kavani po i shtohet edhe një yll i ri i mesfushës, i quajtur Fede Valverde. Ai është vetëm 21 vjeç, po krahasohet me Stiven Xherrardin, ndërsa falë tij, madrilenët duket se kanë hequr dorë nga blerja e kartonit të Pol Pogbasë.

Zidanit iu tha nga klubi se Pogba nuk i vlen paratë që kërkon për të, Mançester Junajtid, dhe trajneri nuk pati ç’të bënte. Më pas, u larguan edhe Dani Sebajos e Markos Jorente, duke lënë mesfushën vetëm me 4 lojtarë. Për fat, Modriçit (të dëmtuar për disa kohë), Krosit e Kasemiros iu shtua Valverde, një emër që nuk e njihte kush, por që shpejt u bë i shquar. Sot, Reali mendon se nuk ka ç’e do Pogbanë, ndërsa forma e Valverdes po lë në stol mjeshtrin Luka Modriç.

Sfidanti.al