Kur nuk ka një standard të përcaktuar qartë, dhe të testueshëm, çdo hipotezë mund të thuhet, por asgjë nuk del në dritë. “Teoria konspirative” më e fundit nga Anglia është ajo që Mançester Siti lejoi me qëllim që bari i fushës të rritej pak më shumë se zakonisht, për të penguar lojën e shpejtë të Liverpulit, në sfidën e fundit në Premier Ligë.
Pep Guardiola e hedh plotësisht poshtë këtë hipotezë, duke e quajtur spekullim. “Unë nuk jam korrësi i barit, – u shpreh ai para gazetarëve, – kurrë nuk e kam kërkuar një gjë të tillë. Mund t’iu them vetëm se, nëse Liverpuli dëshiron të luajë shpejt, ne duam që të luajmë edhe më shpejt”.
Mirëmbajtësi i fushës (apo korrësi i barit), Li Xhekson, po ashtu e hodhi poshtë akuzën ndaj tij, duke thënë se “ishte lajmi i rremë më i madh ndër lajmet e rremë”. Gjithsesi, nuk mund të provohet nëse bari ishte më i rritur se zakonisht apo jo. Nuk është se u bënë matje përpara ndeshjes, dhe kjo nuk është normë, as në Premier, dhe në asnjë kampionat tjetër. Për më tepër, nuk u duk se Liverpuli pati ndonjë ankesë.
Sfidanti.al