Një lavdi e vjetër kërkon rikthimin, Hungaria në Euro 2021!

Nuk e ka me qejf që ta pranojë, por është një vend i vogël. Jo sa Shqipëria, por gjithsesi Hungaria nuk është Gjermani, Francë, Britani e Madhe, Spanjë, Itali apo Rusi! Ndoshta kjo e dënoi për shumë vite, plus edhe trauma e madhe e 1956-ës me kryengritjen antisovjetike, dhe kombëtarja dikur e shkëlqyer nuk arriti të linte gjurmë për dekada me radhë. Tashmë, kjo gjë ka ndryshuar, ose të paktën ka një fillim ndryshimi.

Hungaria u kualifikua për në finalet e Euro 2021-it pas suksesit dramatik ndaj Islandës në Budapest. Duke qenë shumë pranë eleminimit pas golit të Gulfi Sigurdsonit, “maxharët” besuan deri në fund shënuan në 88’ me anë të Negos dhe në minutën e dytë shtesë me Dominik Soboslain për të fituar 2-1 ndeshjen e dytë të plej ofit. Ia vlen të shënojmë se ky është Europiani i dytë radhazi ku Hungaria arrin në fazën finale, edhe pse nuk shkëlqeu sa dëshironte në 2016, duke u eleminuar në turin e dytë.

Nën drejtimin e trajnerit italian Marko Rosi, kjo skuadër hungareze nuk ka në përbërje lojtarë me emra të mëdhenj, madje i ka më pak sesa kombëtarja shqiptare. Spikasin vetëm të tillë si kapiteni Gulaçi apo Orban të Lajpcigut, Adam Salai i Maincit apo Roland Shalai i Frajburgut, ndërsa të tjerët luajnë në Hungari, Qipro, Kroaci, Serbi, Turqi, Sllovaki apo Zvicër.

Nuk dihet nëse Hungaria do të kthehet ndonjëherë në kohën e “kuajve fluturues” të Pushkashit, Ciborit, Koçishit, Hidegkutit, Groshiçit, Bozhikut, më herët të Doktor Gjorgji Sharoshit e Gjula Zhengelerit apo në vitet 60-të të Florian Albertit. Hungaria doli dy herë në finalet e Kupës së Botës në 1938 e 1954 dhe u mund nga Italia e Gjermania Perëndimore, doli në vend të tretë e të katërt në Europianë (1964, 1972) dhe fitoi tri herë medaljen e artë olimpike në 1952, 1964, 1968), plus një argjend e një bronz.

Më vonë, për 10 kampionate europiane me radhë Hungaria nuk arriti të kualifikohej, në vitet 1976-2012, pra menjëherë pas epokës së Florian Albertit. Në kampionatet botërorë, lavdia hungareze zgjati pak më shumë, pasi ishte edhe në edicionet 1978, 1982 dhe 1986, por pas katastrofës 0-6 me Bashkimin Sovjetik në Meksikë, nuk ngriti më kokën as sot e kësaj dite.

Plej ofi

Hungari-Islandë 2-1, Serbi-Skoci 1-1 (4-5), Irlandë e Veriut-Sllovaki 1-2

Sfidanti.al