Niki Lauda, shuhet kampioni që sfidoi vdekjen dhe bëri historinë në F.1!

Mund të ishte shuar në atë moment të vitit 1976. Niki Lauda provoi “flakët e ferrit” në Çmimin e Madh të Gjermanisë në Nyrburgring, kur makina e tij u dogj e u bë shkrumb e hi pas përplasjes, veçse populli thotë “jetëgjati nuk bëhet jetë shkurtër”. Shpëtoi 43 vjet më parë, por udhëtimi i tij në këtë botë mori fund pikërisht tani, në moshën 70-vjeçare, pas një ndërlikimi të veshkave.

Një kampion i madh, me fat, por njëkohësisht i pafat, që pavarësisht aksidentit të frikshëm, fitoi tre tituj botërorë në Formula 1, i vetmi që ia doli edhe me Ferrarin, edhe me Meklarenin. Padyshim një nga pilotët më të mëdhenj të të gjitha kohëve, që mund të krahasohet me legjendat Fangio, Sena, Prost, Shumaher apo Hamilton.

Austriaku i lindur në Vjenë doli kampion në 1975, 1977 dhe 1984, ndërsa mund të quhet i vetmi pilot që u tërhoq si kampion, dhe u rikthye në karrierë duke dalë sërish kampion. Ai ishte po ashtu një rebel, që nuk bëri shumë miq në Formula 1, me karakterin e tij të ashpër dhe të drejtpërdrejtë. Tek Ferrari, edhe e deshën, edhe e morën inat, por pohuan se ai do të kishte fituar shumë më tepër tituj nëse nuk do të ishte larguar nga ekipi në 1977.

“Pushofsh në paqe Niki Lauda, – shkruajti faqja zyrtare e Formula 1, – përgjithmonë në zemrat tona, i pavdekshëm në historinë tonë. Bashkësia e motorsportit mban zi sot për humbjen shkatërruese të një legjende të vërtetë”

“Të gjithë njerëzit e Ferrarit u hidhëruan thellësisht nga lajmi i vdekjes së mikut tonë, Niki Lauda, – shkruhej në deklaratën e skuadrës italiane, – ai fitoi dy tituj me ne dhe do të jetë gjithnjë në zemrat tona”. Edhe Meklareni nuk e harroi ish-kampionin e tij. “Legjendë! Atëherë, sot, përgjithmonë!”, ishte komenti lakonik dhe kuptimplotë i skuadrës angleze.

Pas mbylljes së karrierës, Niki Lauda u bë biznesmen, duke krijuar kompani ajrore që fluturonin në të gjithë botën, ndërsa mbeti i lidhur me Formula 1, si opinionist për televizione të ndryshme. Ai nuk do të harrohet as për shprehjen, “unë kam një arsye për të qenë i shëmtuar, shumica e njerëzve nuk e kanë”.

Sfidanti.al