Nuk ka ndërmend të kënaqet me pak. Në të vërtetë, nuk është gjë e vogël për një boksier që përfaqëson Shqipërinë që të fitojë një titull të rëndësishëm në boksin profesionist, por Florian Marku është ambicioz për më shumë se kaq. Djaloshi 28-vjeçar, i lindur në Lushnje dhe banues në Londër në Britaninë e Madhe, synon titullin botëror në peshat e mesme, pasi fitoi brezin e artë interkontinental. Ai mundi ukrainasin Maksim Prodan me pikë, pasi dy gjyqtarë i dhanë fitoren dhe një gjyqtar tjetër favorizoi kundërshtarin.
Suksesi i Markut ishte në federatën IBF, ku ai u ngjit në vendin e 15-të në renditjen botërore. Tashmë, objektivi është titulli botëror, ndërsa mediat angleze thonë se rivali i tij i radhës mund të jetë Konor Ben. “Unë nuk e vras mendjen se cilin kundërshtar do të më gjejnë menaxherët e mi, – tha Marku, – ky nuk është problemi im. Unë duhet të mendoj vetëm për të boksuar. Unë dua thjesht të ndjek rrugën drejt titullit botëror në IBF. Për momentin, unë thjesht do të përgatitem që të mbroj titullin e fituar dhe që të fitoj tituj të tjerë. Fitorja ndaj Prodanit ishte e vështirë, por e merituar”.
Marku hyri në boksin profesionist në 2018, duke fituar me nokaut teknik ndaj boksierit serb, Nikola Janiçieviç, dhe që nga ajo kohë ka 9 fitore e një barazim. Duke qenë ende i pathyer, shpresat janë të mëdha që ai të bëhet shqiptari i parë kampion bote në këtë sport.
Sfidanti.al