Nuk ishte aspak vetëm fitorja e tij, por ai i vuri vulën duke u çliruar nga një barrë e rëndë e duke realizuar një gol të mrekullueshëm. Një rrjetë thuajse nga asgjëja mund ta shënonte vetëm Lionel Mesi dhe ai e bëri madje ndaj një skuadre shumë të fortë si Mançester Siti. Ndeshjen e Championsit në “Parkun e Princave”, gjithsesi, e fitoi Paris SG nën drejtimin e trajnerit Maurisio Poçetino, që krijoi një skuadër si dikur Helenio Herrera, Enco Bearxot apo Zhoze Murinjo së fundmi. Tetë lojtarë ishin në mbrojtje, dhe sulmin ia lanë treshes Mesi-Nejmar-Mbape. “Me këtë treshe mund të fitosh çdo ndeshje”, – tha ish-lojtari i Anglisë dhe i Bajernit, Ouen Hargrivs.
Me 151 ndeshje dhe 121 gola të shënuar, Mesi është një nga heronjtë më të mëdhenj të Ligës së Kampionëve. Vetëm Kristiano Ronaldo ka më shumë rrjeta sesa ai, 135, por duke luajtur më shumë ndeshje, 177. Mesatarja është më e mirë për argjentinasin me 0.8 gola për ndeshje ndaj 0.77 për portugezin e madh. Ai ka luajtur shpesh ndaj skuadrave angleze, plot 35 ndeshje, dhe ka shënuar 27 gola përfshi edhe këtë të fundit ndaj Sitit.
Mesi ka 673 gola në karrierë, nga të cilët që të gjithë i ka për Barceloën, me përjashtim të atij që realizoi në portën e ekipit të Pep Guardiolës. Në total, bashkë me Argjentinën, “Pleshti” ka arritur në 752 rrjeta, duke qenë padyshim një nga shënuesit më të mirë në historinë e futbollit, jo shumë larg Kristiano Ronaldos, që gjithashtu vazhdon të luajë e të shënojë.
Sfidanti.al