Gjasat janë të gjitha që të vishet sërish kuqezi. Ivan Balliut nuk po i shkon kot sezoni shumë i mirë në La Ligën e Spanjës me Rajo Vajekanon, pasi trajneri Edi Reja është gati ta grumbullojë në ndeshjet eleminatore të Botërorit ndaj Hungarisë e Polonisë. Mbrojtësi i djathtë asistoi një gol në fitoren 3-1 ndaj Kadisit javën e fundit. Balliu është 29 vjeç dhe tashmë ka fituar përvojë të madhe si dhe ka stabilizuar karrierën.
Shkëlqimi këtë sezon me Vajekanon vjen pas një rruge të gjatë, të nisur tek Barcelona B që në vitin 2011, dhe pastaj të vazhduar në Portugali, Francë dhe Spanjë. Mbrojtësi i krahut të djathtë luajti për Arukën portugeze, Metcin francez dhe pastaj për Almerinë në ligën e dytë spanjolle e në Kupën e Spanjës, përpara sesa të kalonte tek Vajekano në La Liga. Me kombëtaren, Balliu ka luajtur shumë pak, vetëm 2 ndeshje në vitet 2017 e 2019, mes të cilave ajo ndaj Turqisë në “Loro Boriçi” humbur 0-2 në eleminatoret e Europianit.
Keidi Bare ndërkaq ka kaluar plotësisht dëmtimin dhe do të jetë gati për Espanjolin për ndeshjen ndaj Realit të Madridit në La Liga. Kjo do të thotë se mesfushori do të grumbullohet nga trajneri Reja për sfidat e tetorit ndaj Hungarisë e Polonisë, duke i dhënë një plus të madh skuadrës, sidomos përderisa ndeshjet janë vendimtare për shanset tona për kualifikim në Botëror të paktën nëpërmjet plej ofit. Bare është një nga lojtarët më të mirë me 17 ndeshje gjithsj në kombëtare e dy gola, ndërsa ka qenë vazhdimisht titullar.
Sfidanti.al