Nga Pulçinela te lavdet e mediave, Napoli shkon i lumtur drejt titullit!

Kur thua emrin e këtij qyteti, nuk ke parasysh vetëm futbollin. Napoli është me krenari i veçantë brenda Italisë, dhe në artin e tij, bashkë me muzikën dhe artistët e mrekullueshëm, bën pjesë edhe “Pulçinela”, një personazh artistik 300-vjeçar, të cilit i janë kushtuar kaq shumë këngë, dhe që trajneri i Napolit, Luçiano Spaleti, tha se i ka bërë një dhuratë të tillë Zhoze Murinjos. “Në ditëlindje e doja një ftesë dhe mbeta pak keq, – thotë ai me shaka, – por, i bëra si dhuratë “Pulçinelën”. Besohet se i vetëquajturi “Speciali” duhet të ketë mbetur i kënaqur me këtë suvenir klasik, që në dialektin napolitan e quajnë “Pulëçënelë”. Gjithsesi, Murinjos nuk i pëlqeu aspak dhurata që Napoli i Spaletit i dha në fushën e lojës, një disfatë 2-1 që i prish punë në planet e tij për në Champions, por që i bën vendasit të jenë një hap më pranë me titullin.

Osimhen shënoi golin e parë dhe pasi El Sharaui barazoi për Romën, u desh rrjeta e vonshme e Zhovani Simeones për të siguruar suksesin që e ngjit Napolin 13 pikë para Interit të vendit të dytë. Në triumfin në stadiumin “Maradona” një fjalë të rëndësishme e dha edhe Amir Rrahmani, mbrojtësi i Kosovës, që bëri ndërhyrje vendimtare. Mediat sportive padyshim që patën lavde.  “Vetëm Napoli”, shkruan “Il Korriere delo Sporti”, që thekson marshimin e shkëlqyer të ekipit drejt titullit, duke u shkëputur më shumë. Ja edhe “La Gazeta delo Sport” që bën shaka duke titulluar: Napoli, guxo, arratisu dhe bëj +13”, duke iu referuar skedinës fituese të futbollit. Edhe pse duhe 19 javë deri në mbyllje të Serisë A, sërish bindja në Itali është që skuadra e Spaletit tashmë e ka hipotekuar titullin. Do të ishte i pari që nga dy kampionatet e fituar me Diegon, kur njerëzit në Napoli nisën të thërrisnin “nënë, pashë Maradonën”.

Sfidanti.al