Adetokumbo sfidon Jokiçin dhe Embijdin për çmimin e lojtarit të vitit!

E ka provuar një herë shijen e titullit dhe nuk e ka harruar. Janis Adetokumbo është kthyer vetvetja këtë sezon dhe po udhëheq Miluoki Baksat në ato lartësi ku ishin në 2021, kur fituan kurorën e basketbollit amerikan. Kapiteni shkëlqeu në suksesin 135-110 ndaj Nju Orlinsit, duke shënuar 50 pikë e duke dominuar në tabela me 13 topa të kapur në sulm e në mbrojtje. Ai shtoi 4 asistë, ndërsa ishte mjaft i saktë nga gjuajtjet nga loja, madje edhe në ato për tri pikë duke realizuar tre nga 4 tentativa. Natyrisht, greko-afrikani nuk ishte vetëm dhe pati ndihmë të madhe nga Bruk Lopez, Holidei, Metjues apo Ingles. Miluoki padyshim që përfitoi nga fakti se Nju Orlinsi pati mungesa, dhe sidomos ndikoi dëmtimi i yllit kryesor, Zajon Uilliamson. Miluoki është në vendin e tretë në Lindje me 33 fitore e 17 humbje, shumë pranë Bostonit kryesues dhe Filadelfias. Vetë Adetokumbo është në garë për çmimin e lojtarit më të mirë të sezonit në NBA, ndërsa konkurrenca është e fortë nga yje të tillë si Nikola Jokiç, Zhoel Embijd, Luka Donçiç, Kevin Durant apo edhe Lebron Xhejms.

Sfidanti.al