Nga këpucët me thumba tek shala e kalorësit, Ouen i njëjti!

Majkëll Ouen ka qenë një “sulmues race” në fushat e futbollit, por u duk se nuk i la gjë mangut kalit të tij të racës në garën e parë të hipozmit që zhvilloi në jetë. Ish-ylli i Anglisë, Liverpulit dhe Realit, provoi fatin e tij në një garë kalorsiake zhvilluar në Askot. Ouen mori pjesë si amator në konkurrimin e organizuar për bamirësi dhe ia doli më së miri, duke e përfunduar garën në vend të dytë.

Mediat britanike shkruan me shaka se “Majkëll Ouen goditi shtyllën”, ndërsa do të kishte shënuar gol nëse do të kishte dalë i pari me kalin e tij të quajtur Kalder Prins (Calder Prince). Garën e ndoqën edhe Princi Çarls (ose Karl, nëse e doni në shqip) si dhe gruaja e tij, Dukesha e Kornuollit. Padyshim, nuk mund të mungonte e shoqja e Ouenit, Luiza (në foto).

Sfidanti.al