Nga humbja në Brentford te “i shuari” Obamejang, kriza e verës e Arsenalit!

Le ta pëlqejë sa të dojë trajneri Mikel Arteta, ish-kapitenin Granit Xhaka. Edhe pse shqiptari i Zvicrës nuk shkoi për tek Roma, sërish kjo nuk i bëri shumë “fajde” Arsenalit që hëngri një “dru të shëndoshë” në fushën e ekipit të sapo ngjitur në Premier Ligë, Brentfordit. “Topçinjtë”, të cilëve u është lagur baruti me kohë, morën mesazhin që ndoshta do ta marrin edhe “parellinjtë” e mëdhenj të Anglisë, atë që skuadrat e ashtuquajtura të vogla do të luajnë aq fort sa për t’u nxjerrë sytë. Disfata 0-2, me gola të shënuar nga Sergi Kanjos dhe Kristian Norgard, ishte vërtetimi se Arsenali nuk është kërkund. Mbrojtja fut ujë, por problem i madh mbetet edhe sulmi. Klubi po mendon për ta shitur sulmuesin kryesor, kapitenin Obamejang, vetëm 1 vit pasi ai firmosi rinovimin me rrogën e shkëlqyer prej 350 000 paundë stërlinash në javë.

Sfidanti.al