Tashmë futbolli serioz nisi, ai që vlen. Bundesliga e dha sinjalin e startit me një ndeshje ku merrte pjesë Bajerni i Mynihut, dhe skuadra kampione nuk mundi t’i largonte të gjitha fantazmat e fazës përgatitore. Pasi pësoi 4 humbje në miqësore, skuadra bavareze mezi shpëtoi me një barazim 1-1 në fushën e Borusias së Mynshengladbahut. Golit të shpejtë të vendasve, shënuar nga Alasane Plea në 10’, iu përgjigj i përhershmi Robert Levandovski. “Mbreti polak i golit” pati raste edhe pas pushimit, por u ndalua nga portieri zviceran, Jan Zomer, veçse edhe Gladbahu pati rastet e veta. Një barazim që mund të pranohet për kampionët, por që tregon se trajneri Julian Nagelsman ende nuk di që të fitojë në stolin e ri. Ndeshja e radhës për Bajernin është të martën, finalja e Superkupës së Gjermanisë kundër Dortmundit.
Sfidanti.al