Ndihmon apo jo Ronaldo, vendin e tij për luftën ndaj koronavirusit?!

Për momentin, e sigurt është që ndodhet në vendin e tij. Kristiano Ronaldo është izoluar në ishullin e Madeirës në Portugali, ku shkoi të vizitonte nënën e tij të sëmurë dhe të mbrohej nga koronavirusi, ndërsa ka një kaos lajmesh nëse superylli do të ndihmojë për të luftuar epideminë.

Fillimisht, dolën lajmet se CR7 do të vendoste në dispozicion hotelet e tij private, për t’i kthyer në spitale, dhe do të paguante vetë për gjithçka. Gazeta “Marka” e Madridit i bëri jehonë lajmit mbrëmjen e fundit, duke vlerësuar gjestin e ish-sulmuesit të Realit. Nga ana tjetër, “La Gazeta delo Sport” e Milanos, e vuri në dyshim njoftimin duke e quajtur “të rremë”, mbështetur, siç shkruan ajo në burime pranë rrethit miqësor të Ronaldos.

Vetë Kristiano, për momentin, është mjaftuar me një mesazh solidariteti në faqen e tij zyrtare në Instagram, të ndjekur nga mbi 205 milionë njerëz. Njoftimet janë që numri 7 mund të ndihmojë konkretisht atdheun e tij në luftën ndaj koronavirusit, dhe kjo gjë mund të ndodhë në ditët e ardhshme. Gjithsesi, nuk do të ishte hera e parë që një apo më shumë individë ndihmojnë privatisht vendin e tyre. Në 1915, taksistët e Parisit shpëtuan Francën duke transportuar falas trupat ushtarake në front, në Betejën vendimtare të Marnës gjatë Luftës së Parë Botërore.

Sfidanti.al