Kjo skuadër është e qartë që nuk do të mund ta bëjë mrekullinë e viteve 80-të të “bandës” së udhëhequr nga Diego, madje mund të duket më e dobët sesa ajo e Mauricio Sarrit që pak vjet më parë thuajse e fitoi Serinë A me Gonzalo Higuainin (dhe Elseid Hysajn). Gjithsesi, të rralla janë netët magjike të tilla si ajo që Napoli pati ndaj Liverpulit në Champions. Një 4-1 në stadiumin “Maradona” kundër nënkampionëve të Europës, me rezultatin që shkoi në 4-0 që në 48’ dhe përballë një skuadre shumë të fuqishme edhe pse me mungesa. Është e qartë që të kuqve nga Anglia nuk po u shkon mbarë ndonjë gjë në këtë fillim sezoni, por kaq nuk pritej. “Një mbrëmje që nuk e di nëse do të mund të përsëritet, – tha trajneri i napolitanëve, Spaleti, në mënyrën e tij melankolike (jo më kot e quajnë “prifti”), – ishte ndeshja e përsosur për ne. Ndaj Liverpulit bëmë gjithçka siç duhet. Le të na japë frymëzim dhe moral për këtë sezon, le të bindim veten se mund të bëjmë gjëra të mëdha”.
Sfidanti.al