Ballkani bën sot debutimin historik në fazën e grupeve në Ligën e Konferencës!

Së pari ndodhi 5 vjet më parë. Ilir Daja, në atë kohë trajner i Skënderbeut, u kualifikua për në fazën e grupeve të Ligës së Europës, pas sukseseve ndaj ekipe të ndryshëm, përfshi Mladën e Boleslavit të Çekisë dhe Dinamon e Zagrebit. Tashmë, tekniku 55-vjeçar nga Shqipëria, do të provojë për herë të dytë fazën e grupeve në kontinent, tashmë me Ballkanin e Therandës apo siç quhet ndryshe i Suharekës. Kualifikimi historik, i pari për një ekip të Kosovës në garat e UEFA-s për klubet, u arrit pasi u kaluan Zhalgirisi, La Fiorita, Klaksviku dhe kampionia e Maqedonisë së Veriut, FC Shkupi. Daja, në konferencën për shtyp shprehu besimin për sukses sot me sfidën ndaj Kluzhit të Rumanisë me nisje në orën 18:45 në stadiumin “Fadil Vokrri” të Prishtinës, ndërsa në grup janë edhe Sivaspori turk e Sllavia e Pragës. Kluzhi i Rumanisë po ashtu mbërriti në Kosovë me pretendime. Ekipi udhëtoi me avion drejt Prishtinës, dhe u stërvit në “Fadil Vokrri”, ndërsa trajneri, ish-lojtari i shquar rumun Dan Petresku, gjithashtu ka besim.

Sfidanti.al