Trajneri bavarez e kishte thënë para ndeshjes në Milano se ekipi i tij, për vetë emrin de traditën, duhet cilësuar gjithmonë ndër kandidatët kryesorë për të fituar Championsin. Sfida e parë, ajo në “San Siro” ndaj Interit, i dha të drejtë Julian Nagelsmanit pasi Bajerni fitoi 2-0 duke mos e patur edhe aq të vështirë. Mediat në Mynih shkruajtën se “Leroi Sane, Tomas Myler dhe Xhoshua Kimih duhet të veçohen për nivelin që treguan”. Kimihu u cilësua “Zoti i Futbollit”, De Ligti ishte “Kaizeri”, Myleri ishte “Bomberi” dhe “Mjeshtri i Ndeshjes” ishte Sane.
Nga Interi, mediat bavareze veçuan portierin Onana, që zëvendësoi Handanoviçin dhe ishte i shkëlqyer. Në 11 gjuajtje të Bajernit, Onana bëri 9 pritje, pësoi një gol, ndërsa nuk mund ta imagjinonte se një shok i ekipit do të shkaktonte autogol. Në Gjermani, Onanën e krahasuan me Jan Zomerin që e ndali Bajernin ndaj Gladbahut. “Jam i lumtur me paraqitjen e skuadrës, – tha Nagelsmani, – ne patëm ritëm të lartë për 90 minuta, ndonëse në çdo pjesë ne patëm një periudhë prej 10 minutash, kur i lejuam hapësirë kundërshtarit. Gjithsesi, në tërësi ne e merituam plotësisht fitoren. Ishte e rëndësishme ta nisnim Championsin me 3 pikë”.
Sfidanti.al