Të ardhmen nuk dihet nëse do ta kenë të përbashkët. Myrto Uzuni vërtet është tepër i lidhur me Granadën, por gjithsesi edhe mund të largohet, ndonëse për momentin ka siguruar diçka të rëndësishme. Mediat spanjolle shkruajnë se sulmuesi i kombëtares shqiptare do të trefishojë rrogën në klubin e kategorisë së dytë të Spanjës. Një premtim aspak i vogël nga ana e drejtuesve të Granadës, por gjithsesi të cilin Uzuni e meriton plotësisht. Ai është shënuesi më i mirë i ekipit dhe po ashtu më i miri i kampionatit këtë sezon, në krye të renditjes së Këpucës së Artë.
Beratasi ka arritur të marrë edhe një premtim tjetër. Granada ka rënë dakord që të mos e pengojë nëse në drejtim të tij do të vijnë oferta të rëndësishme nga klube të La Ligës, apo nga ekipe të kampionateve elitë në Europë. Klubi spanjoll do të pranonte oferta që të jenë mbi 10 milionë euro. Uzuni ka 22 gola e 5 asistë në 36 ndeshje, të luajtura deri tani në ligën e dytë dhe shpreson shumë që të ngjitet në La Ligën spanjolle së bashku me Granadën.
Sfidanti.al