Zhoze Murinjo nuk përton ta thotë atë që mendon, edhe kur mund t’i prishë punë vetes, veçse këtë herë duket se mund të mos e kalojë lehtë. Kohët e fundit, trajneri i Mançester Junajtidit kritikoi dy herë tifozët e skuadrës, i pakënaqur me atmosferën në “Old Traford” dhe me atë që i duket si mungesë mbështetjeje për sulmuesin kryesor të skuadrës, Romelu Lukaku. Zhoze nuk u kursye pas ndeshjes së fituar në Champions ndaj Benfikës duke thënë se “shpresoj që tifozëve t’u ketë pëlqyer më shumë kjo ndeshje sesa ajo me Totenhemin”.
Reagimi i tifozëve ishte i shpejtë, por jo ai që shpresonte “Mou”. Përfaqësuesit kryesorë të tyre kanë kërkuar takim me trajnerin pikërisht për të sqaruar kritikat, që nuk janë pritur mirë. “Mes tifozëve ka mendime të ndryshme sesi duhet të interpretohen fjalët e trajnerit, – lexohej në një deklaratë të grupimit MUST (Manchester United Supporters Trust), – e dimë se atmosfera duhet të jetë më e nxehtë, pork a shumë arsye që ajo nuk është si më parë. Kryesisht për shkak të bashkëpunimit me klubin”. Shqetësimi kryesor i Murinjos ka të bëjë me Lukakun që nuk po shënon që nga 30 shtatori.
Sfidanti.al