Murinjo-Juventus, armiqtë e betuar do të jenë sërish përballë

Kur drejtonte Porton dhe Çelsin nuk pati rast të ndeshej me piemontezët, por pati mjaft punë me ta ndërsa u ndodh në Itali në stolin e Interit. Një shprehje e Zhoze Murinjos mjafton për të përmbledhur gjithçka kur tha se “duke qenë trajner i Interit, e vetmja skuadër në Itali që nuk mund ta drejtoj është Juventusi”. Nuk dihet për të ardhmen, sepse kështu tha për Totenhemin kur ishte tek Çelsi, por e shkeli premtimin. Zhoze Murinjo dhe Juventusi janë armiq të deklaruar për shkak të së kaluarës. Portugezi pati shumë konflikte verbale me “Zonjën e Vjetër” në vitet 2008-2010, duke lëshuar shprehje si “është fantastike kur publiku i një skuadre të madhe brohoret sepse barazoi me ne”, “atë penallti nuk e kërkon Interi, por vetë futbolli sepse u luajt volejboll”, apo “zonë të rreptësisë 25 metra në Itali ka vetëm në një stadium”, me të gjitha shprehjet kundër torinezëve. Tashmë, këtë të diel do të kemi një Juventus-Roma, ndërsa Murinjo u largua për herë të fundit nga stadiumi “Alianc” duke u tallur me tifozët juventinë duke vendosur dorën në vesh (në foto) pas fitores 2-1 të Mançester Junajtidit në Champions.

Sfidanti.al