Modrid e Mesi, harrojeni Çmimin e FIFA-s, këtu jeni në La Liga

Nuk kishte ndodhur, besohet, ndonjëherë, që fituesi i Çmimit të FIFA-s dhe ai që quhet lojtari më i mirë i botës, të turpërohen në të njëjtën mbrëmje. Kjo, madje pak ditë pas ceremonisë së FIFA-s në Londër. Luka Modriç, fituesi i Çmimit, dhe Lionel Mesi, i besuar gjerësisht si numëri 1 i futbollit botëror, pësuan humbje tronditëse në La Liga, edhe pse luajnë me dy skuadrat më të mira.

Më herët e pësoi Mesi, kur Barcelona në mënyrë të pabesueshme u mposht në stadiumin e Leganjesit modest, që e nisi javën në vendin e fundit. Filip Kutinjo kaloi Barçën përpara, por për 68 sekonda në pjesën e dytë, vendasit përmbysën shifrat. Nabil El Zhar barazoi në 52’, ndërsa goli i dytë u realizua nga Oskar Rodrigez, i huazuar tek Leganjes nga Reali i Madridit.

Vetë madrilenët ndoshta do të kishin pasur nevojë për të në Sevilje, ku Luka Modriç kaloi një nga mbrëmjet më të këqija të karrierës. Rezultati përfundimtar ishte një katastrofë 0-3, ndërsa lojtari më i mirë i sezonit në botë nuk arriti të jepte të zakonshmen e tij, mori karton të verdhë për protesta, dhe përfundimisht u zëvendësua nga trajneri Lopetegi. Mesi e Modriç, harroni çmimet, por kujtohuni që luani në ligën spanjolle.

Sfidanti.al