Më keq se parashikimi, Juvja fiton, por Ronaldo nuk shënon

I kanë parashikuar 0.8 gola për ndeshje, ndërsa tek Reali ishte mësuar me 1 gol për çdo takim. Në Itali duket se mund të ndodhë më keq për super-ambiciozin Kristiano Ronaldo, i cili nuk arriti të gjente rrugën e rrjetës një tjetër herë. Ndodhi ndaj Bolonjës, në fitoren 2-0 të Juventusit ndaj Bolonjës në Torino, ku heronjtë e sfidës quheshin Paulo Dibala e Blez Matyidi. Argjentinasi dhe kampioni i botës i Francës shënuan golat, ndërsa kampionët vazhdojnë marshimin e pandalshëm me 6 suksese në 6 ndeshje të luajtura në Serinë A deri tani.

Ronaldo ka 3 gola në këta 6 takime, jo keq në Itali, dhe jo keq për një 33-vjeçar, por aspak kënaqshëm për egon e tij tepër të madhe. Bashkë me takimin e Championsit, ku nuk shënoi, por doli me karton të kuq, i bëhen 7 herë në fushë për tri rrjeta. Natyrisht, me kalimin e javëve kjo mund të ndryshojë, dhe mesatarja të rritet. Kur hedh sytë prapa, tek 9 vitet karrierë tek Reali, shikon statistikat e pabesueshme, 450 gola të shënuar në 438 ndeshje të luajtura.

Sfidanti.al