Modestia e Pogbasë: Topi i Artë për një francez, por jo për mua

Vlerësohet si një nga lojtarët më të mirë në planet, edhe pse tek Mançester Junajtidi po vuan pa masë. Pol Pogba, gjithsesi, e ndjen se nuk është aty ku duhet dhe “sponsorizon” të tjerë për fitoren e Topit të Artë. Revista “Frans Futboll” pritet që të dorëzojë çmimin e radhës, ndërsa ka shpallur listën me 30 pretendentë, ndërsa Pogba mendon se fitues duhet të jetë një francez.

“Pak rëndësi ka se kush, – shprehet mesfushori, – Grizuja (Grizmani), Kiliani (Mbapeja) apo Rafi (Varani). Të gjithë këta e meritojnë më shumë sesa unë. Unë nuk mund të caktoj një fitues, por shpresoj me gjithë zemër që të jetë njëri prej tyre, madje duhet të shtoj edhe NG-në (Kantenë)”.

Që nga viti 2008, Topi i Artë është fituar ose nga Ronaldo, ose nga Mesi, dhe ata janë sërish në grupin me 30 lojtarë, por besohet se një francez apo Luka Modriç mund të jetë fitues këtë vit.

Sfidanti.al