Mirlind Daku drejt Rusisë: Do të luaja me gjithë zemër për Shqipërinë!

Një sulmues vërtet interesant. Shqipëria këto kohë nuk është se ka vuajtur për një rol të tillë, por gjithsesi kur vjen puna tek një si Mirlind Daku, padyshim që ka entuziazëm. Kombëtares mund t’i bashkohet futbollisti nga Kosova, i cili shkëlqeu sezonin e kaluar në Ligën e Parë të Sllovenisë për Murën.  Është vetë Daku që e deklaron mundësinë për të veshur fanelën kuqezi, në një intervistë për shtojcën sportive të së përditshmes së njohur të Zagrebit, “Jutarnji List”. Sulmuesi 25-vjeçar deklaroi se tashmë që ka marrë pasaportën shqiptare ka mundësi që të luajë për Shqipërinë, por ende nuk e ka vendosur përfundimisht.

Ai shprehet i zemëruar me ish-trajnerin e Kosovës, Alen Zhires, që nuk e ftoi në ekipin përfaqësues, ndërsa mendon se e meritonte. Daku deklaron se do të luante me gjithë zemër për Shqipërinë. Ai është ende pjesë e Osijekut në Ligën e Parë të Kroacisë, ndërsa për Murën në Slloveni shënoi plot 27 gola në 53 ndeshje. Për sulmuesin nga Kosova ekziston mundësia që të kalojë në Superligën e Rusisë, për Rubinin e Kazanjit, ku mund të nënshkruajë një kontratë 3-vjeçare me rrogë 1 milionë euro në sezon. E përditshmja ruse, “Sport Ekspres” shkruan se për Dakun interesohet trajneri i Rubinit, Rashid Rahimov, dhe se transferimi mund të kushtojë 1.5 milionë euro.

Sfidanti.al