Pritet vetëm zyrtarizimi, Hoxhallari, transferimi i tetë i Tiranës

Tirana nuk ndalet në merkato. Mungon vetëm zyrtarizimi, por nuk ka dyshime se Erion Hoxhallari është blerja e tetë për klubin bardheblu në këtë sesion të tregut të transferimeve. Zërat që qarkullonin prej javësh, duket se janë konfirmuar nga vetë nënkampionët e Superligës. Në rrjetet sociale të klubit është shfaqur një foto enigmë, por nuk është vështirë të kuptohet se për cilin bëhet fjalë. Një kërkim i shpejtë në “google” zbulon menjëherë imazhin origjinal.

Në këtë mënyrë, ish-kapiteni i Tiranës kampion do të bashkohet me skuadrën e Orges Shehit përpara aventurës europiane në raundin e parë eliminator të Konferencë Ligës. Në këtë mënyrë, Hoxhallari pritet të jetë transferimi i tetë në këtë merkato të verës pas Selmanit, Dokës, Micit, Obanorit, Jonuzit, Latifit dhe Kainës.  Me këto transferime, bardheblutë tregojnë menjëherë objektivat për sezonin e ardhshëm. Misioni i parë është kualifikimi në raundin e dytë të Konferencës Ligës, ndërsa më pas rikthimi te titulli në Superligë, pas një sezoni të fundit zhgënjyes dhe të mbyllur në mënyrë dramatike, me trofeun e dorëzuar në javën e fundit dhe humbjes në finalen e Kupës së Shqipërisë.

Sfidanti.al