Deri tani ka njohur gëzime në fushën e lojës. Marash Kumbulla është një emër i njohur i futbollit shqiptar që luan për Romën në Serinë A, dhe që shkëlqen edhe për kombëtaren kuqezi, ndërsa tani ka njohur një lumturi të një lloji krejtësisht të veçantë. Mbrojtësi 23-vjeçar i qendrës është bërë baba për herë të parë. Ishte vetë Marashi dhe padyshim edhe partnerja e tij, që hodhën në Instagram fotot e vajzës që i vunë emrin Matilde. “Mirë se erdhe Matilde, – shkruajti Kumbulla në rrjetin social, – mami dhe babi janë marrëzisht të dashuruar me ty”. Futbollisti kuqezi është bërë baba relativisht shpejt në një epokë kur mosha prindërore është shtyrë vazhdimisht, e vazhdon të shtyhet. Ai bashkëjeton me partneren e tij, Greta Manzato.
Kumbulla padyshim që do të ketë nxitje edhe më të madhe për të shkëlqyer në fushën e lojës pas lindjes së Matildës së vogël. Pasi ishte tepër i dalluar tek Verona e pasi shënoi gola dhe ishte titullar, e po ashtu nuk u paraqit aspak keq sezonin e parë me Romën. Gjithsesi, me ardhjen në stol të Zhoze Murinjos, qendërmbrojtësi shqiptar u aktivizua më pak dhe u desh të luftonte shumë për të siguruar minutash në fushën e lojës. Muajt e fundit, 23-vjeçari pati një rol më të madh për skuadrën italiane dhe shpresohet që kjo të vazhdojë edhe sezonin e ardhshëm.
Sfidanti.al