Miqtë e dikurshëm, Lampard e Murinjo ndahen në “paqe” në Angli!

Asnjëra nga skuadrat nuk ia doli të fitonte, ndonëse duhet thënë se vendasit do ta kishin merituar më shumë. Ishte një derbi i rëndësishëm në Londrë për Premier Ligën angleze, dhe Çelsi e Totenhemi e respektuan futbollin edhe pse nuk pati tifozë në “Stemford Brixh”, ashtu siç nuk pati as gola. U mbyll 0-0 duke i dhënë mundësi Spërsave të Murinjos të dilnin sërish në krye të renditjes me golaverazh më të mirë sesa Liverpuli.

Trajneri portugez u nda kështu në paqe me ish-mesfushorin e tij, Frenk Lampard, të cilin e ka quajtur si një nga lojtarët më të mirë me të cilët ka punuar në karrierë. “Ne bëmë më shumë për të fituar, – tha Lampardi, – shkoi ashtu siç e mendoja. Ne patëm mjaft zotërim topi dhe krijuam raste për gol. Fakti që nuk pësuam gol vlen shumë ndaj një ekipi që luan në kundërsulm, dhe sulmuesit e tyre, Kejn apo Son, nuk patën asnjë mundësi”. Timo Vernerit iu anulua një gol për pozicion jashtë loje, ndërsa Zhiru humbi rastin në fund që mund t’u kishte dhënë fitoren Bluve të Londrës.

“Një barazim në “Stemford Brixh” është normalisht rezultat i mirë, – tha Murinjo, – po ashtu si kryesimi i ligës, por skuadra nuk është e kënaqur. Kjo është gjë fantastike, një ndryshim i madh mentaliteti dhe personaliteti. Nëse do të kishim qenë paksa më mirë, do ta kishim fituar ndeshjen, por tani të mendojmë për ndeshjen e radhës”.

Sfidanti.al