Shqiptari i Kosovës ishte një yll te Verderi i Bremenit në Bundesligë, pavarësisht se edhe gjermano-veriorët rrezikuan statusin në elitë. Milot Rashica pati disa admirues, ose të paktën klube që menduan për të, si Bajerni, Liverpuli e Milani, po ashtu Lajpcigu, por përfundimisht vendosi të shkonte në Angli tek Noruiçi, ku kishte mundësi për minutazh dhe do të luante në Premier Ligë. Gjithsesi, ndërsa kanë kaluar vetëm 9 ndeshje nga fillimi i kampionatit anglez, sulmuesi i Kosovës papritur e sheh veten në ekipin më të dobët të sezonit në ishull, dhe që konkurron për të fituar “titullin” aspak të pëlqyer, të ekipit më të keq në historinë e Premier Ligës. Noruiçi jo vetëm është në vendin e fundit, por ka vetëm 2 pikë (2 barazime, 7 humbje), si dhe ka golaverazhin e tmerrshëm, 2-23! Asnjë ekip në historinë e Premierit nuk ka qenë në kët nivel pas 9 javësh, as Sandërlendi në 2015 (3 pikë), Kristël Palasi në 2017 (3), Hadërsfildi në 2018 (3) dhe as vetë Noruiçi dy vjet më parë (7 pikë).
Sfidanti.al